Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i vendit përpara se Shqipëria të realizojë objektivin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në një intervistë për median italiane “Vanity Fair”, Rama tha se momenti më i bukur për t’i dhënë fund karrierës së tij politike do të ishte mbledhja e parë e Shqipërisë si shtet anëtar i BE-së.
“Mbledhja e parë e Shqipërisë si shtet anëtar i Bashkimit Europian do të ishte rasti më i bukur për të dhënë dorëheqjen”, u shpreh ai.
Deklarata vjen në një kohë kur prej dy javësh mijëra qytetarë po protestojnë në Tiranë dhe qytete të tjera, fillimisht kundër projekteve turistike në Sazan dhe Zvërnec, por tashmë edhe me kërkesa politike për largimin e qeverisë.
Rama theksoi se do të vazhdojë të qëndrojë në krye të ekzekutivit për aq kohë sa do të ndiejë “zjarrin e pasionit” për të qeverisur vendin. Në intervistë ai foli edhe për presionin e pushtetit, duke e krahasuar atë me një afresk që afrohet gradualisht derisa “muret ngushtohen dhe të bëjnë të ndihesh si në një qeli”.
Ndërkohë, protesta kundër qeverisë vijon për të 17-ën ditë radhazi, me organizatorët që kërkojnë anulimin e projekteve të debatueshme turistike dhe dorëheqjen e kryeministrit.
