Ndërkohë Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë paralajmëroi se Shqipëria duhet të shmangë veprime që mund të cenojnë përmbushjen e kritereve të Kapitullit 27 dhe se pret që autoritetet shqiptare “të veprojnë pa vonesë”.

Më 2 qershor, Komisioni Evropian deklaroi për DW se po ndjek nga afër zhvillimet në zonën e mbrojtur të Pishë-Poro–Nartës dhe theksoi se standardet e BE-së duhet të merren plotësisht në konsideratë në këtë projekt. Ndërkohë Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë paralajmëroi se Shqipëria duhet të shmangë veprime që mund të cenojnë përmbushjen e kritereve të Kapitullit 27 dhe se pret që autoritetet shqiptare “të veprojnë pa vonesë”.

Të hënën, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Komisioni ka marrë garanci nga qeveria shqiptare se “do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane të mbrojtjes së mjedisit do të respektohen”. Deklarata kundërshtohet nga organizata mjedisore EcoAlbania, e cila argumenton se procedurat mjedisore duhej të paraprinin çdo ndërhyrje në terren dhe jo të ndiqnin punimet e nisura.

Në një intervistë për DW, Annette Spangenberg, drejtuese e sektorit të ruajtjes së natyrës në organizatën ndërkombëtare EuroNatur, thotë se zhvillimet në Pishë-Poro–Nartë konfirmojnë shqetësimet që BE-ja ka ngritur prej kohësh për mbrojtjen e zonave të mbrojtura. “Në rastin e këtij projekti, asnjë nga elementet e zhvillimit të qëndrueshëm nuk është demonstruar në mënyrë bindëse” – thotë Spangenberg.

Zona e Pishë Poro–Nartës është pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë dhe një nyje e rëndësishme për shpendët migratorë përgjatë korridorit të Adriatikut. Për këtë arsye, dëmtimi i habitateve në këtë zonë ngre shqetësime që shkojnë përtej Shqipërisë, veçanërisht në një kohë kur vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në shtator të vitit të kaluar Bashkimi Evropian miratoi Pozicionin e Përbashkët për Klasterin 4, i cili përfshin kritere të lidhura me Kapitullin 27 për mjedisin. Ky pozicion kërkon që Shqipëria të shfuqizojë ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillime turistike luksoze brenda këtyre zonave dhe të sigurojë që projektet e reja të vlerësohen në përputhje me standardet e BE-së. Gjithashtu, kërkohet rishikimi i Ligjit për Statusin e Investitorit Strategjik.

Zhvillimet e fundit në Pishë Poro–Nartë tregojnë se shqetësimet e ngritura nga BE-ja nuk janë më thjesht rreziqe potenciale, por po materializohen në terren. Aktualisht mungojnë transparenca, vlerësimet e ndikimit dhe konsultimet publike. Kjo përbën një shkelje serioze të legjislacionit për mbrojtjen e natyrës dhe të angazhimeve që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.

Peizazhi i Mbrojtur Vjosë–Nartë është tashmë sit kandidat i rrjetit Emerald në kuadër të Konventës së Bernës dhe konsiderohet pjesë e ardhshme e rrjetit Natura 2000 pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Për këtë arsye, çdo ndryshim në gjendjen e tij duhet t’u nënshtrohet procedurave të posaçme që fatkeqësisht, Shqipëria nuk i ka respektuar,” – thotë Spangenberg.

EuroNatur vazhdon të jetë e angazhuar për të siguruar që Pishë Poro–Narta dhe zonat e tjera të mbrojtura në Shqipëri të ruajnë nivelin e mbrojtjes që meritojnë dhe që kuadri ligjor të zbatohet në mënyrë efektive.

Shqipëria ka ndryshuar legjislacionin për të lejuar investime strategjike turistike në zonat e mbrojtura. Nga këndvështrimi i ruajtjes së natyrës zhvillimi më i fundit dhe më shqetësues lidhet me ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke lejuar përdorimin e makinerive të rënda dhe ndërtimin e resorteve turistike luksoze brenda zonave të mbrojtura. “Këto ndryshime kanë dobësuar ndjeshëm funksionin mbrojtës të ligjit” – thotë Spangenberg.

Një tjetër çështje problematike lidhet sipas Spangenberg me Ligjin për Investimet Strategjike, i cili u krijon mundësi investitorëve të shmangin ose të përshpejtojnë disa procedura administrative dhe mekanizma kontrolli, përfshirë ato që lidhen me mbrojtjen e mjedisit. “Ajo që duhet pasur parasysh është se ajo që po ndodh sot në Nartë mund të ndodhë nesër në çdo zonë tjetër të mbrojtur në Shqipëri” – thotë Spangenberg.

“Pishë Poro–Narta është një nga shumë zonat e mbrojtura në Shqipëri që janë shpallur mbi të gjitha për të mbrojtur natyrën dhe speciet që jetojnë në to. Çdo zhvillim që propozohet në këto territore duhet të respektojë këtë parim themelor” – thotë Spangenberg.

Sipas Spangenberg, “në rastin e këtij projekti, sipas vlerësimit tonë, asnjë nga këto elemente nuk është demonstruar në mënyrë bindëse.”

Burimi: Deutsche Welle (DW)

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *