Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si “mister të gëzueshëm” faktin që drita jeshile për çeljen e fazës përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian përkon me 180-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit, të cilin e ka quajtur “udhërrëfyesin gjenial të aspiratës shekullore të shqiptarëve drejt Europës”.
Nesër, më 26 maj në Bruksel do të zhvillohet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku Rama do të jetë i pranishëm bashkë me një përfaqësi të kabinetit qeveritar. Sipas tij, ky hap “vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit”.
Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria synon të jetë pjesë e familjes europiane në vitin 2030 dhe se ai vit — që përkon edhe me 130-vjetorin e ndarjes nga jeta të Naim Frashërit — të shënohet si “Viti Europian i Naimit”.
“Me punën tonë të përbashkët, nën dritën e amanetit të tij dhe rilindësve tanë, Shqipëria 2030 do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit — vitin e ‘Diellit që lind andej nga perëndon'”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

