Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kundërshtarëve të projektit turistik në Zvërnec, duke i akuzuar se po përdorin konfliktin në Gaza për të nxitur urrejtje ndaj hebrenjve dhe për të penguar investimet në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat, Rama tha se leja e dhënë në prill të vitit 2026 nuk ka të bëjë me nisjen e ndërtimeve, por me vendosjen e infrastrukturës së përkohshme për kryerjen e studimeve mbi biodiversitetin e lagunës. Sipas tij, makineritë dhe pajisjet e vendosura në terren u sulmuan pa u kuptuar qëllimi i tyre.

Kreu i qeverisë hodhi poshtë pretendimet se projekti po ua kalon toka shqiptare investitorëve izraelitë, duke theksuar se pronat ku parashikohet zhvillimi janë private dhe se në investim përfshihen edhe ortakë nga Katari.

Rama deklaroi se projekti ka tërhequr marka prestigjioze ndërkombëtare të hotelerisë dhe turizmit luksoz, ndërsa paralajmëroi se refuzimi i investimeve të mëdha mund t’i kushtojë Shqipërisë mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik.

Duke marrë si shembull Malin e Zi dhe projektin Porto Montenegro, ai tha se investime të tilla kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave dhe të standardit të jetesës.

“Çfarë do të zgjedhim? Ta shohim Malin e Zi nga mbrapa apo ta parakalojmë? Më thoni dhe unë adaptohem, sepse këtu jam me votën tuaj”, u shpreh Rama.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *