Kryeministri Edi Rama ka prezantuar vizionin për transformimin e Pallatit të Kongreseve, duke deklaruar se objekti ka nevojë për një rikualifikim të thellë, por pa humbur identitetin që e karakterizon.
Gjatë aktivitetit për Konkursin Ndërkombëtar të Rikualifikimit të Pallatit të Kongreseve, Rama tha se ndërtesa përballet me probleme serioze infrastrukturore dhe funksionale, çka e bën të domosdoshëm ndërhyrjen dhe modernizimin e saj.
Sipas kreut të qeverisë, projekti nuk synon vetëm restaurimin e godinës ekzistuese, por edhe zhvillimin e hapësirave përreth në bashkëpunim me sipërmarrjen private, duke krijuar një qendër të re për aktivitete kulturore, artistike dhe turistike në zemër të Tiranës.
Rama theksoi se objektivi është që Pallati i Kongreseve të mos mbetet më një hapësirë e izoluar dhe pa gjallëri, por të shndërrohet në një destinacion të rëndësishëm urban, në të njëjtën mënyrë siç, sipas tij, është transformuar zona përreth stadiumit kombëtar.
“Duam që kjo zonë të marrë jetë dhe të bëhet një tjetër pikë referimi për Tiranën turistike dhe kryeqytetin e aktiviteteve kulturore”, u shpreh Rama.
