Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se shqetësimi kryesor i kryeministrit Edi Rama nuk janë protestat kundër projektit në Zvërnec, por hetimet që po zhvillon SPAK lidhur me dyshimet për tjetërsimin e pronave në këtë zonë.
Duke komentuar zhvillimet e fundit, Lala tha se hetimet e Prokurorisë së Posaçme mund të prodhojnë së shpejti rezultate konkrete, pas kontrolleve të kryera në Tiranë dhe Vlorë në kuadër të kësaj çështjeje.
Sipas saj, ekziston mundësia që SPAK të kërkojë sekuestrimin e pronave që dyshohet se janë përfituar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara. Një vendim i tillë, nëse merret, do të sillte automatikisht bllokimin e projektit të planifikuar në Zvërnec.
“Ramën e shqetëson më shumë hetimi sesa protestat”, u shpreh Lala, duke shtuar se veprime konkrete nga SPAK mund të ndërmerren brenda ditëve ose javëve të ardhshme.
