Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka akuzuar ministrin e Financave, Petrit Malaj, se ka përdorur të dhëna që lidhen me të dhe familjarët e tij, duke pretenduar se ato janë shfrytëzuar për ta shantazhuar gjatë debatit të zhvilluar në seancën e kaluar parlamentare.
Duke folur në Kuvend, Shehaj deklaroi se ministri jo vetëm që e kishte kërcënuar, por kishte përdorur edhe gjuhë fyese, ndërsa kërkoi korrigjimin e procesverbalit zyrtar të seancës.
Sipas tij, procesverbali nuk pasqyron të gjitha deklaratat e bëra gjatë përplasjes, duke lënë jashtë fjalët e ministrit. Shehaj akuzoi drejtuesit e Kuvendit për manipulim të dokumentacionit zyrtar dhe për marrje vendimesh në kundërshtim me rregulloren parlamentare.
Ai e cilësoi ngjarjen si shqetësuese për funksionimin e institucioneve dhe kërkoi që çdo deklaratë e bërë në sallën e Kuvendit të reflektohet saktësisht në procesverbal.
