Zbardhen detaje të reja nga aksidenti tragjik i ndodhur një ditë më parë në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur. Sipas Policisë, drejtuesi i mjetit, Nikoll Radaçi, 57 vjeç, ka qenë në gjendje të dehur në momentin e aksidentit dhe rezulton i ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Ohri”, në lagjen nr. 15 të qytetit të Durrësit. Sipas hetimeve paraprake, Radaçi, duke drejtuar një automjet tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të shpejtësisë dhe gjendjes së dehur, duke dalë nga rruga dhe duke përplasur tre fëmijë që ndodheshin pranë zonës ku po luanin.
Si pasojë e përplasjes fatale, humbën jetën në vend dy të mitur, të moshave 10 dhe 12 vjeç, ndërsa një tjetër 8-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Pas aksidentit, 57-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por u lokalizua dhe u shoqërua nga policia. Testet e alkoolit treguan se ai drejtonte mjetin në gjendje të dehur, me nivel 0.73 mg/l në testin e parë dhe 0.70 mg/l në të dytin.
Nga verifikimet e kryera rezulton se Nikoll Radaçi kishte precedentë të mëparshëm për shkelje rrugore. Atij i ishte pezulluar leja e drejtimit në vitin 2020 për parakalim të gabuar dhe dy herë në vitin 2022 për tejkalim shpejtësie.
Policia bëri me dije se ndaj 57-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen e dy personave.
