Tirana do të jetë sërish sot skena e protestës qytetare kundër qeverisë, teksa mijëra qytetarë pritet të mblidhen në protestën e 13-të radhazi për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Organizatorët kanë njoftuar se grumbullimi do të nisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit do të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të përsëriten thirrjet kundër projektit në Zvërnec dhe kundër qeverisjes së vendit.
Prej gati dy javësh, protestat kanë mbledhur çdo mbrëmje mijëra qytetarë nga Tirana dhe rrethet, duke e shndërruar bulevardin kryesor të kryeqytetit në qendrën e kundërshtimit ndaj qeverisë.
Me sloganet “Zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja jonë” dhe “Shqipëria nuk shitet”, protestuesit kërkojnë ndryshim politik, anulimin e projektit në Zvërnec dhe mbajtjen e përgjegjësive nga drejtuesit e qeverisë.
