Protestuesit kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje sa më të madhe në protestën e sotme në Tiranë, duke ftuar qytetarët dhe punonjësit e administratës publike të bashkohen me atë që e cilësojnë si lëvizje qytetare kundër qeverisë.
Pas 12 ditësh protestash të njëpasnjëshme, organizatorët kërkojnë një mobilizim edhe më të madh, veçanërisht pas njoftimit për zhvillimin e një aktiviteti politik të Partisë Socialiste në të njëjtën ditë.
“Nesër të jemi sa më shumë kundër antimitingut të Ramës me administratën e tij” është një nga mesazhet që është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe mes protestuesve.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar administratës publike, me thirrjen që punonjësit e shtetit të mos përdoren për qëllime politike, por të rreshtohen krah qytetarëve që kërkojnë ndryshim.
Sipas organizatorëve, pjesëmarrja masive në protestën e sotme do të jetë përgjigjja më e fortë ndaj qeverisë, ndërsa protesta hyn në ditën e saj të 13-të me kërkesat për largimin e kryeministrit Edi Rama, anulimin e projektit në Zvërnec dhe ndryshim politik në vend.
