Rektori i UNISHK-ut akuzon Bordin e Administrimit për shkelje ligjore dhe ndërhyrje në funksionimin e institucionit, ndërsa i kërkon Ministres së Arsimit të garantojë vijimin normal të universitetit pas largimit të tij.
Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, ka paraqitur dorëheqjen e parevokueshme nga detyra, përmes një letre drejtuar ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro Furxhi.
Në letrën e tij, Gjuraj thekson se mandati i rektorit buron nga komuniteti universitar dhe se drejtimi i universitetit duhet të mbështetet në autonominë institucionale, transparencën dhe respektimin e ligjit. Ai shprehet se kishte marrë përsipër drejtimin e universitetit për të çuar përpara një proces transformimi institucional, por sipas tij, ky proces është penguar nga ndërhyrje dhe vendimmarrje që cenojnë pavarësinë e institucionit.
Gjuraj kritikon ashpër Bordin e Administrimit, duke e cilësuar të papranueshëm vendimin për emërimin e administratorit të universitetit. Ai ngre gjithashtu shqetësime për vendime që, sipas tij, janë marrë pa bazë ligjore, përfshirë shtyrjen e moshës së daljes në pension për administratorin dhe procedurat e rekrutimit të stafit administrativ.
Sipas rektorit në largim, një raport i grupit të punës të ngritur nga Ministria e Arsimit ka konstatuar se shpallja e Bordit të Administrimit për punësime në universitet ishte e pavlefshme dhe në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë.
Në letër, ai akuzon gjithashtu Bordin e Administrimit për vijim të shkeljeve ligjore, duke pretenduar se janë kryer pagesa preferenciale të honorareve për projekte pa miratimet dhe filtrat e nevojshëm institucionalë.
“Unë kam autoritetin dhe të drejtën, por jo forcën për të kundërshtuar më tej Bordin e Administrimit, ndërsa ata kanë forcën, por jo autoritetin dhe të drejtën për t’u imponuar”, shkruan Gjuraj.
Duke njoftuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, ai i kërkon ministres së Arsimit të zbatojë dispozitat e ligjit për arsimin e lartë për të garantuar funksionimin normal të Universitetit të Shkodrës pas largimit të tij.
Në fund të letrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj u shpreh mirënjohje qytetarëve të Shkodrës, stafit akademik, administratës dhe studentëve për mbështetjen ndaj projektit të tij për transparencë dhe transformim institucional, duke i uruar universitetit sukses në vijim.
