Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë sot kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon që masa “arrest në burg” e vendosur nga GJKKO në shkurt të vitit 2025 të shpallet antikushtetuese. Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe do të zhvillohet mbi bazë dokumentesh, pa praninë e palëve.

Veliaj argumenton se masa e vendosur ndaj tij nuk është proporcionale, duke theksuar se si i zgjedhur kushtetues ai meriton trajtim të ndryshëm. Në ankimin e tij, kryebashkiaku pretendon se Kodi i Procedurës Penale parashikon që pas një periudhe të caktuar kohore, të gjithë të akuzuarit duhet të gjykohen në liri kundrejt një garancie pasurore.

Ndërkohë, SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e Veliajt me 13 akuza, ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, përballet me 12 akuza. Sipas hetimeve, Veliaj dhe Xoxa dyshohen se në 9 raste të veçanta kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, të cilat nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Hetimet kanë gjetur se Veliaj, në cilësinë e kryetarit të bashkisë, ka miratuar me nënshkrimin e tij shpërndarjen e fondeve publike, të cilat më pas kanë përfunduar në organizata jofitimprurëse të kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *