Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas zjarrit që përfshiu një pallat në Tiranë, duke sqaruar se dëmi i shkaktuar nuk do të mbulohet nga buxheti i shtetit, por nga ndërtuesi i objektit.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se, sipas të dhënave paraprake, shkaku i zjarrit nuk lidhet me cilësinë e ndërtimit, por, pavarësisht kësaj, përgjegjësia për rindërtimin do të mbetet te kompania ndërtuese.
Ai nënvizoi se qytetarët e prekur nga ngjarja nuk do të lihen vetëm, por shtoi se nuk është e drejtë që kostot të përballohen nga taksapaguesit, duke theksuar rëndësinë e sigurimit të banesave.
Kryeministri u bëri thirrje familjeve të dëmtuara të qëndrojnë të qeta dhe u shprehu mbështetje për situatën e vështirë, ndërsa falënderoi zjarrfikësit dhe forcat e rendit për ndërhyrjen e shpejtë dhe shpëtimin e jetëve në rrezik.
