Ylli i FC Barcelona, Raphinha, ka reaguar ashpër pas ndeshjes ndaj Atlético Madrid në stadiumin “Wanda Metropolitano”. Barcelona fitoi 2–1 në këtë përballje, por u eliminua nga UEFA Champions League me rezultat të përgjithshëm 3–2.
Braziliani, i cili nuk luajti në këtë ndeshje për shkak të një dëmtimi, foli për një media braziliane pas takimit dhe e cilësoi ndeshjen si një “grabitje”.
“Ishte një ndeshje e vjedhur, gjyqtari ishte i tmerrshëm. Vendimet që mori ishin të pabesueshme. Atlético Madrid bëri shumë faulle dhe nuk mori asnjë karton të verdhë. Nuk e kuptoj pse Barcelona u pengua të avancojë”, u shpreh ai.
Ky reagim mund t’i kushtojë shtrenjtë futbollistit të Barcelonës, pasi UEFA mund të ndërmarrë masa disiplinore ndaj tij.
Sipas Nenit 11 të Kodit Disiplinor të UEFA-s, çdo deklaratë apo sjellje që konsiderohet fyese ose që diskrediton futbollin dhe institucionin mund të ndëshkohet me sanksione.
Dënimi mund të arrijë deri në tre ndeshje pezullim, të cilat Raphinha mund të detyrohet t’i vuajë në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Një rast i ngjashëm ka ndodhur më parë me ish-lojtarin e Barcelonës, Neymar, i cili u pezullua pas kritikave ndaj gjyqtarit pas ndeshjes mes Paris Saint-Germain dhe Manchester United në vitin 2019. Fillimisht, UEFA i dha një pezullim prej tre ndeshjesh, por më pas Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e reduktoi dënimin në dy ndeshje.
