Shorti për fazën e 1/8 të Ligës së Kampioneve rezervoi dy përballje mes pretendesntësh për fitimin e trofeut më të rëndësishëm evropian. Finalja e sezonit të fundit mes Liverpulit dhe Realit të Madridit do të luhet sërish, por kësaj here me dy takime dhe me synim kalimin në çerekfinale. Të kuqtë e Jurgen Klop do të kërkojnë revanshin ndaj një skuadre eksperte në këtë kompeticion si Reali i Karlo Ançelotit.
Sfidë mjaft e fortë dhe ajo mes Parisit dhe Bajernit të Mynihut. Francezët kanë vite që kërkojnë fitimin e trofeut dhe përballë do të kenë një kundërshtar të një niveli mjaft të lartë si formacioni i Julian Nagelsman që në fazën e grupeve ka treguar se di të mposhtë me lehtësi ekipe si Inter apo Barcelona.
Milani shtatë herë kampion i evropës do të ketë një përballje të vështirë me Totenhemin e Antonio Kontes i cili rikthehet sërish si kundërshtar ndaj kuqezinjve pasi për dy sezone drejtoi rivalët e Interit. Mançester Siti do të përballet më gjermanët e Lajpcig, ndërsa tjetër përballje anglo-gjermane do të jetë ajo mes Çelsit dhe Borusias së Dortmundit.
Napoli i Spaletit sfidon gjermanët e Eintrahtit të Frankfurtit, ndërsa Interi kërkon çerekfinalen ndaj portugezëve të Portos. Sfida tjetër do të jetë ajo mes Benfikës dhe belgëve të Klub Bruzh.