Nga Hasan Bello

Rauf Fico është një nga personalitetet më të rëndësishëm të shtetit shqiptar. Ai ishte burrë shteti, politikan dhe diplomat i nivelit të lartë. Veprimtarinë patriotike ai e filloi para pavarësisë. Sipas Faik Konicës, Rauf Fico ishte shqiptar kur nuk kishte Shqipëri. 

Ai lindi në Sanë të Jemenit më 13 mars 1881 ku i ati shërbente si kadi (gjykatës). Familja e tij ishte një nga më të njohurat e lagjes Palorto të Gjirokastrës. Pak kohës pas lindjes së Raufit, babai i tij transferohet si kryekadi (kryegjykatës) në Shkodër, ku ai përfundoi arsimin fillor. Më pas Raufi shkoi në Vjenë ku për dy vjet vazhdoi shkollën Volksschule. Shkollën e mesme e kreu në Stamboll për të vijuar studimet në “Mylkijen” e famshme (Fakulteti i Shkencave Politike dhe Administrimit). Gjatë viteve të studimeve, ai do të njihet me personalitete shqiptar dhe të huaj, të cilët do të luajnë një rol të rëndësishëm në histori. Njëri prej tyre është kryeministri dhe presidenti i Turqisë Ismet Inony. 

Pasioni i Raufit gjatë studimeve ishte leximi dhe gjuhët e huaja. Ai fliste turqisht, gjermanisht, greqisht, arabisht, persisht, italisht, anglisht dhe frëngjisht. 

Pas përfundimit të studimeve në Stamboll, ashtu siç e kërkonte ligji për nëpunësit e shtetit osman, në vitin 1903 Raufi u caktua për të bërë stazhin në vilajetin e Janinës, ku shërbeu si sekretar i valiut për tre vite. Në prill të vitit 1906 ai u emërua kajmekan (nënprefekt) i Konicës. 

Në vitin 1910 pasi kishte shërbyer në disa qyteza të tjera Raufi largohet nga detyra për të qëndruar një farë kohe në Gjirokastër. Në prill të vitit 1912, ai u emërua vali (prefekt) qytetit i Kaiserit. Por me Shpalljen e Pavarësisë dha dorëheqjen dhe erdhi në Vlorë, ku Ismail Qemali e emëroi këshilltar të ministrit të Brendshëm Myfid Libohova. Në verën e vitit 1913, ai ishte pjesë e një delegacioni që shkoi në Romë dhe në Vjenë për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar. Në vjeshtën e vitit 1913, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit Rauf Ficon e emëroi prefekt të Beratit, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1914. 

Në qeverinë e Turhan Pashë Përmetit, që u krijua pas ardhjes së Princ Widit, Rauf Fico u ngarkua me detyrën e shefit të kabinetit. Ndërsa në vitet e LPB kur një pjesë e Shqipërisë u pushtua nga ushtria austro-hungareze, Rauf Fico ishte nënprefekt i Tiranës. 

Në qeverinë e Sulejman Delvinës që u krijua pas Kongresit të Lushnjës në janar 1920, Rauf Fico u caktua shef seksioni në Ministrinë e Brendshme e cila drejtohej nga A.Zogu. Këtu fillon një bashkëpunim i ngushtë mes këtyre personaliteteve, i cili do të zgjasë deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia. 

Në këtë periudhë ai u zgjodh deputet dhe në qeverinë jetëshkurtër të Idhomeno Kosturit (12-24 dhjetor 1921), e cila u quajt edhe si “qeveria e njerëzve të ndershëm” ai ishte ministër i Brendshëm. Në maj të 1922 për shkak të disa problemeve qeveria e emëroi si prefekt të Durrësit. Duke nisur nga kjo periudhë Rauf Fico ngarkohet gjithmonë me detyrën e atij që merrte përsipër që të zgjidhte çështjet më të koklavitura të shtetit shqiptar brenda dhe jasht vendit. 

Për këtë arsye, ai konsiderohej si krahu i djathtë i A.Zogut ose diplomat i “Nyjeve Gordiane”. Kjo vihet re dhe nga detyrat dhe shtetet ku ai shërbeu. Kështu, në vitin 1925 ai u emërua ministër Fuqiplotë në Ankara; në nëntor 1928-prill 1929 dhe 1932-1936 ministër Fuqiplotë në Beograd; më 14 janar 1929-11 prill 1931 ministër i Punëve të Jashtme; në dhjetor 1936-korrik 1938 ministër Fuqiplotë në Athinë. Gjatë këtyre viteve objekt kryesor i punës së tij si personi më i besuar i A.Zogut për politikën e jashtme, ishte mbrojtja e popullsisë shqiptare dhe parandalimi i politikës së shpërnguljes së saj nga ish-Jugosllavia dhe Greqia drejt Turqisë. 

Por një nga misionet speciale të Rauf Ficos ishte detyra si ministër Fuqiplotë në Berlin korrik 1938-qershor 1939. Ajo kishte si qëllim të shpëtonte shtetin shqiptar nga politika agresive italiane. Kjo shihej me xhelozi nga Roma, diplomatët e së cilës mbanin nën mbikqyrje të gjitha takimet e Rauf Ficos me personalitete të larta të politikës gjermane.

Shtypi i huaj e konsideronte Rauf Ficon si një nga burrat më të zotë jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë Ballkanit. Emblematike mbetet thënia e Hitlerit i cili pas dorëzimit të letër-kredencialeve nga ministri shqiptar dhe ambasadori i Japonisë, ai ka deklaruar “Sot kam takuar dy vetë: Njëri ishte diplomat i madh i një shteti të vogël dhe tjetri një diplomat i vogël i një shteti të madh”. Ndërsa shërbimi sekret britanik në raportet e tij e konsideronte A.Zogun dhe Rauf Ficon si dy personat më të pakorruptueshëm të administratës shqiptare.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *