Botërori i Katarit është në prag të fillimit, por forca punëtore që ndërtoi stadiumet që do mirëpresin eventin duket të kenë mbetur e pakënaqur me trajtimin gjatë punës për jetësimin e impianteve moderne të futbollit.
Amnesty Internatinal bashkë me 24 organizata të tjera i kanë dërguar një letër presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino duke i kërkuar të përfshihet në hartimin e një pakete kompensimi për dëmshpërblimin e punëtorëve që morën pjesë në ndërtimin e stadiumeve në Katar. Të shumtë janë punëtorët nga Azia dhe Afrika të cilët kanë raportuar dëmtime të pësuara gjatë punës në Katar. Punëtorët po ashtu janë ankuar për mosmarrjen e pagave, shfrytëzimin në punë me orë të zgjatura dhe mungesën e ditëve të pushimit.
Thiirjes për krijimin e një fondi kompensimi i janë përgjigjur pozitivisht dhe sponsoret e eventit në Katar si Adidas, Coca-Cola apo McDonalds. Mbështetja për kërkesat e punëtorëve që ndërtuan stadiumet ka ardhur dhe nga kombëtarja e Australise e cila përmes një videoje apeloi që të drejtat e punëtorëve duhen respektuar.
Kjo fushatë në përkrahje të kërkesave të punëtorëve vjen dhe si reagim ndaj nje letre të presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino i cili në fillim të këtij muaji ngjalli zemëratë kur u kërkoi kombëtareve pjesëmarrëse në botëror të fukusoheshin në futboll dhe të mos merreshin me leksione morale.