Gjermania luan sonte në mbrëmje një nga sfidat e saj më delikate gjatë historisë së futbollit gjerman. Skuadra e Hansi Flik nuk ka opsion tjetër përveç fitores përballë Kosta Rikës, në të kundërt eliminimi që në fazën e grupeve do të ishte pasaporta gjermane e këtij botërori.
Hansi Flik mund të ketë nxjerrë mësimet e duhura nga humbja befasuese ndaj Japonisë dhe nga barazimi me Spanjën. Tekniku gjerman pritet të nisë sfidën me treshen e sulmit Sane-Gnabri- Muziala duke lënë në stol Tomas Myler-in e shumëkritikuar për paraqitjet e tij. Gjermanët do të jenë me sytë nga sfida tjetër e grupit mes Spanjës dhe Japonisë duke shpresuar që djemtë e Luis Enrikes të mundin aziatikët. Në rast të një barazimi mes Spanjës dhe Japonisë, gjermanëve u duhet të fitojnë me më shumë se dy gola diferencë ndaj Kosta Rikës për të siguruar kualifikimin.
Kostarikanët nga ana e tyre arritën të reagojnë pas humbjes tenistike ndaj Spanjës duke marrë tre pikë befasuese ndaj Japonisë të cilat i japin tashmë mundësinë të luajë për dy rezultate ndaj Gjermanisë, pasi edhe një barazim i mundshëm kualifikon skuadrën e Keilor Navas-it me shokë. Kosta Rika synon të përsërisë suksesin e botërorit të 2014-ës ku arritën deri në çerekfinale, megjithëse ajo skuadër ishte dukshëm më cilësore se kjo e sotshmja.