Lionel Mesin jemi mësuar ta shohim duke shkëlqyer në fushë. Nuk ka qenë në natyrën e tij përfshirja në përplasje gjatë ndeshjeve apo në polemika pas tyre. Ndryshe duket se paraqitet situata kur ai luan me Argjentinën e tij. Presioni ndaj Mesit kur ai vesh fanellën e albiçelestëve rritet dhe kjo manifestohet dhe në sjelljen e tij.
Fitorja dhe kualifikimi me shumë vuajtje ndaj Hollandës krijoi jo pak polemika mes të dy palëve të cilat ankoheshin për arbitrimin e gjyqtarit të sfidës, spanjollit Mateo Lahoz.
Argjentinasit shpërthyen pasi Lautaro realizoi penalltinë e kualifikimit ndaj tulipanëve, duke përshëndetur në mënyra provokative hollandezët e eliminuar. Mesi u pa të ishte i përmbajtur në atë situatë, por ai shpërtheu menjëherë sapo doli për të folur para mediave. Mesi u pa t’i drejtohet sulmuesit hollandez, Veghorst me fjalor ofendues. “Çfarë po shikon? Çfarë po shikon?! Largohu nga këtu, budalla!”- ishin fjalët e Mesit para kamerave në drejtim të lojtarit hollandez i cili kishte shënuar dy gola ndaj Argjentinës pasi kishte ardhur në fushë si zëvendësues.
Mesi po ashtu u ankua për gjykimin e sfidës nga arbitri spanjoll, Mateo Lahoz të cilin ai e njeh pasi ka gjykuar shpesh përballjet e Barcelonës në kampionatin spanjoll gjatë kohës qe argjentinasi ishte pjesë e Barcelonës.