Lionel Mesi shfaqi të gjithë lumturinë e tij pas suksesit në botërorin e Katarit. Ikona e futbollit botëror duke folur pas finales dramatike ndaj Francës u shpreh që e kishte bindje se Zoti do ia jepte atij këtë kupë bote.
Mesi ndryshoi sërish qëndrim lidhur me tërheqjen e tij nga përfaqësuesja argjentinase. Disa ditë para finales me Francën ai ishte shprehur se kjo do të ishte ndeshja e tij e fundit me albiçelestët, por fitimi i trofeut në Katar duket se e ka bërë të ndryshojë sërish mendim. Shtatë herë fituesi i Topit të Artë u shpreh se do të vazhdojë të luajë sërish me Argjentinën e tij.
“E dija që Zoti do ma jepte këtë kupë. Dua të vazhdoj të luaj edhe disa ndeshje të tjera si kampion bote. Unë kam qenë me fat që kam marrë gjithçka në karrierën time dhe më mungonte vetëm kjo. Tani do ta çojmë trofeun në Argjentinë për ta shijuar me ju.” – u shpreh Mesi.