Kristjan Asllani është aktivizuar vetëm në dy sfida për Interin në këtë fillimsezoni të kampionatit italian. Mesfushori i kombëtares shqiptare ishte në pritje të momentit të tij ,moment i cili duket se po vjen. Kriza e rezultateve për zikaltrit e Milanos vendosi në pikëpyetje pankinën e trajnerit Simone Inzagi. Sipas raportimeve të mediave italiane, drejtuesit e Inter me në krye presidentin Zhang, kanë vendosur t’i japin sërish besim teknikut, por jo për shumë kohë dhe ndryshimet kërkohen të shihen që në përballjen e ardhshme në kampionat ndaj Romës.
Mungesa e madhe në mesfushën e zikaltër për këtë sfidë do të jetë ajo e Marselo Brozoviç dhe sipas të gjitha pritshmërive, Simone Inzagi pritet që mungesën e kroatit ta kompensojë me aktivizimin nga minuta e parë të Kristjan Asllanit. Mesfushorit shqiptar do t’i besohet regjia e mesfushës në një sfidë mjaft delikate për fatet e sezonit të Inter dhe kjo pritet të jetë mundësia që Asllani pret prej javësh.
Talenti shqiptar i mesfushës u transferua nga Empoli tek Inter për shumën e 14 milionë eurove. Ai zhvilloi paraqitje mjaft të mira në sfidat miqësore të fillimit të sezonit, por në javët e para të kampionatit Asllani u preferua vetëm në dy sfida nga trajneri Inzagi pasi pozicioni i djaloshit shqiptar në fushë mbulohet nga një peshë e rëndë si Marselo Brozoviç dhe sfida për një vend titullari nuk do të jetë aspak e lehtë.
Lajmi i mirë për zikaltrit mbetet rikthimi nga dëmtimi i sulmuesit Romelu Lukaku i cili është i gatshëm për përballjen ndaj Romës. Diskutimi vijon mbi portën. Kapiteni Handanoviç nuk po bind me paraqitjet e tij, ndërsa Onana ka treguar cilësi në sfidat ku ishte titullar. Detyra të vështira në vazhdim për Interin, Simone Inzagin dhe Kristjan Asllanin.