Superkupa e Italisë rezervon sonte finalen e derbit të Milanos mes Interit dhe Milanit. Të dy skuadrat kërkojnë trofeun e parë sezonal në një sfidë që pritet të jetë e luftuar.
Të dy ekipet kanë patur mjaft luhatje në paraqitjet e tyre deri në këtë fazë të sezonit dhe fitimi i këtij trofeu mund të shërbente shumë për moralin e skuadrave në pjesën e mbetur të sezonit.
Henrik Mikitarian duket se po e pret me padurim finalen. Armeni kërkon fitoren ndaj “armiqve” nga pjesa tjetër e qytetit duke qenë i vetëdijshëm se nuk do të jetë aspak e lehtë.
Fantazisti zikaltër theksoi se kur Interi është në ditën e tij, askush nuk e ndal dot.
“Rëndësia e një derbi në finale është e padiskutueshme për ndjesinë dhe për gjendjen psikologjike që jep më pas. Të tilla janë derbet, jemi të vetëdijshëm se luajmë përballë skuadrës tjetër të qytetit, janë “armiqtë” tanë. Kam luajtur në shumë finale, por është një finale, të cilën nëse e luajmë me gjakftohtësi dhe vëmendje maksimale mund ta fitojmë. Derbin e fundit me Milanin nuk bëmë mirë, nuk e nisëm mirë sezonin dhe patëm disa vështirësi, por më pas fituam kundër skuadrave të forta si Barcelona e Napoli dhe tani mendoj se mund të luajmë në një tjetër nivel. Interi favorit? Unë mendoj se Milani është në gjendje të mirë, nuk ka favoritë. Ne do të luajmë lojën tonë dhe pjesa tjetër nuk na intereson, nëse luajmë mirë asgjë nuk na ndal.”- tha Mikitarian.