Gjasat që Edi Reja të mbetet në drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit duken gjithnjë e më të pakta. Nëse u referohemi mediave italiane, ato e bëjnë fakt të kryer largimin e teknikut aktual dhe zëvëndësimin e tij me një tjetër trajner italian, pikërisht me Luixhi Di Biaxho. E përditshmja “Gazzetta Dello Sport” raporton se tashmë Reja mund të konsiderohet i larguar nga drejtimi i Shqipërisë dhe Di Biaxho po përgatitet të marrë vendin e lënë bosh nga bashkëatdhetari i tij në stolin kuqezi. Sipas të njëjtit burim, Di Biaxho, mund të drejtojë Shqipërinë që në ndeshjen miqësore ndaj Italisë në muajin nëntor.

Nga ana e saj, Federata Shqiptare e Futbollit para dy ditësh me anë të një deklerate për shtyp rikonfirmoi Edi Rejën si trajnerin e kombëtares, por pa dhënë detaje rreth largimit apo rinovimit të mundshëm me teknikun veteran. Kontrata e Edi Rejës skadon në muajtin nëntor dhe rinovimi i tij duket i vështirë nisur dhe nga paraqitjet e fundit zhgënjyese ndaj Izraelit dhe Islandës. Ish-tekniku i Lacios drejton prej katër vitesh kombëtaren shqiptare dhe në shumë raste është gjendur në qendër të kritikave për stilin e lojës, sidomos për rreshtimin e tij me tre mbrojtës në prapavijë e deri në mungesën e një identiteti të qartë nga ana e ekipit në fushën e lojës. I vetmi realitet që nuk ndryshon mbetet vendomëria e drejtimit të kombëtare nga trajnerë italianë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *