Sonte në “Santiago Bernabeu”, Reali i Madridit, 14 herë kampion i Europës pret në gjysmëfinalen e parë të Championsit, Mançester Sitin e Pep Guardiolës të uritur për protagonizëm në vitrinën kryesore të futbollit europian.
Përballja e shumëpritur mund të konsiderohet dhe sfidë mes Karim Benzema dhe Erling Haland.
Francezi 35-vjeçar po jeton formën më të mirë të karrierës duke u shndërruar në liderin absolut të madrilenëve pas largimit të Kristiano Ronaldos. Sezonin e kaluar ishte sulmuesi francez ai që me paraqitjet e tij tërhoqi mbretërorët drejt trofeut në Champions, ndërkohë që këtë sezon ai vijon të jetë lider me 29 gola të shënuar në të gjitha kompeticionet.
Në kampin anglez, dëshira për hakmarrje është e madhe për atë eliminim dramatik në gjysmëfinalen e sezonit të kaluar. Qytetarët duken më të pjekur në këtë sezon, pa harruar dhe armën e tyre vrastare të quajtur Erling Haland.
Sulmuesi norvegjez ka tejkaluar çdo pritshmëri në sezonin e tij të parë me qytetarët e Mançesterit duke shënuar 51 gola deri në këtë fazë të sezonit. Haland ka shënuar 12 gola në 8 paraqitje në Champions këtë sezon dhe rreziku kryesor për mbrojtjen e Karlo Ançelotit pritet të jetë pikërisht ai.
Mançester Siti vjen me organikë të plotë në këtë përballje, ndërkohë që Reali ka arritur të rekuperojë në momentet e fundit një aset në mesfushë si Luka Modriç i cili është i gatshëm për të zbritur në fushë.