Nga Ernest Koliqi
Ky, qi me êmën tjetër quhet edhe Supërpatrjot, duel, për hiri të mrèkullt natyruer, nga prêhni i s’âmës tue pikue pastrí të veçantë patrjotike. Paraqet veten si shembull nderi e vetmohimi dhe si i parashênjuem postafat nga Ora e Shqipnís për t’u dhânë të gjithëve, djathtas e mbajtas, mësim atdhedashuníje e morali politik. Po pyete: Emnin e Zotit, më kallzó kush âsht ky teshë qi flet plot karriname dhe naltëson e mposhtë dhe shperndán lavdíme e dënime tue shkapaderdhë slogane të shflushkëta si nji Skanderbeg i ringjallun? — kurrkush nuk din me të dhânë përgjegje.
Ky skarapuq zhurmëmadh i a behi ne shesh politik plot vrull, tue bâ me shungullue jehohat me gjikime sa të préme aq facjoze. Valentini thotë, në nji ndër studime të çmueshme të tijat mbi ligjët t’ona dokesore, se Shqiptarët janë të pajisun prej natyrës me nji mendesí juridike. Por Stëratdhetari i ynë do t’a ndiente veten të fyem po të mendonte kush se frymzohet, në predikim patijotik të vetín, nga fryma e Kanûnit të Lekës. Mo’ Zot!
Ai mburret për nji shqiptarizëm modern, doket e lashta i vren me nji hije mosbesimi. Sepse ai mton të jét përfaqesues i kulturës à la page: në trû i vlon nji llakatosje idésh e përftimesh, pjellëse kontradiktash, por pohuese të vlerës vetíake.
Si Papa në punë të fés teshi i ynë beson ngultas në pagabimsí të fjalve e të veprave të veta. I a mveshi vetvetes vërtytin e pleqnimit pa apel. U vetêmnue i papërlyem, Gjykatës Epruer, Torquemada i inkvizicjonit patrjotik, i Paracaktuem me mbarështrue punët e kombit. Ai i a bâni si Napoleon Bonaparti qi nuk léjoi t’a kunorzonte Peranduer Papa por i a muer këtij kunorën nga duert edhe e rrasi vetë në kokën e vet. I a lumsha! Lëshon vrapin mâ të madh se ka hapin. I ecë kungulli mbi uj sepse gjymsa e dheut âsht si baktija e Ndreut…
(1972)
Publikoi: Agim Morina