Jusufa Moukoko ishte zbulimi i sezonit të kaluar për Borusian e Dortmundit. Sulmuesi 18-vjeçar me origjinë nga Kameruni spikati me verdhezinjë, ndërkohë që paraqitjet e tij i mundësuan dhe grumbullimin në kombëtaren gjermane.
Moukoko ka firmosur një kontratë të re me Dortmundin me kushte të përmirësuara financiare, por mediat gjermane raportojnë se lidhjet e tij me familjen janë shkëputur.
Moukoko ka pasur probleme me të atin që sipas mediave gjermane kishte vendosur kontroll mbi të birin dhe mbi të ardhurat e tij.
Sapo mbushi 18-vjeç, Mukoko vendosi të shkëpuste raportet me familjen për të marrë në dore fatet e karrierës së tij.
Raportohet se familja e tij tashmë jeton në një qendër refugjatësh pasi e kishin të pamundur jetësën pa të ardhurat që Moukoko sillte në shtëpi.
Sipas mediave gjermane, familja kishte akumuluar një borxh prej 500 mijë eurosh çka ka sjellë dhe konfiskimin nga shteti të një vile që ata posedonin dhe strehimin e tyre në një qendër refugjatësh.