Nga Hasan Bello
Përdorimi i aviacionit ushtarak nga vendet ballkanike ka filluar relativisht herët. Sipas një raporti të 13 tetorit 1910 të Inspektoriatit të Përgjithshëm të Logjistikës Ushtarake Osmane vendet ballkanike (Serbia, Bullgaria dhe Greqia) kishin porositur blerjen e disa avionëve. Prandaj, ai kërkoi nga qeveria planifikimin e një fondi të posaçëm për specializimin e disa ushtarakëve në vendet europiane. Megjithatë futja e kësaj teknologjie në ushtrinë osmane eci shumë avash. Vetëm në fillim të vitit 1912 u arrit që të bleheshin dy avionë në Francë.
Ndërsa përdorimi i avionëve në territoret shqiptare për herë të parë vihet re në Luftërat Ballkanike. Kështu, gjatë Luftës së Shkodrës (tetor 1912-prill 1913) ushtria serbe kishte në organikën e saj një eskadron ajrorë, i cili përbëhej, sipas disa burimeve të ndryshme nga 4-9 avinonë të prodhimit rus e francez.
Në fund të vitit 1912, për të mbështetur operacionet ushtarake për aneksimin e territoreve shqiptare, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë serbe krijoi një bazë ajrore në Nish, ku dislokoi 7 avionë të tipeve të ndryshme. Sigurisht që teknologjia e kësaj kohe nuk kishte përparuar ende aq sa duhej. Prandaj, misioni kryesor i aviacionit ushtarak serb kishte si qëllim zbulimin e planvendosjes së ushtrisë armike (forcave osmane, por dhe atyre shqiptare që luftonin për mbrojtjen e territoreve të tyre).
Për shkak të humbjeve të jashtzakonshme që forcat serbo-malazeze pësuan nga forcat shqiptaro-osmane në Luftën e Shkodrës, në shkurt të 1912-tës, Shtabi i Ushtrisë serbe dha urdhër që të krijohej një skuadrilje me 4 avionë të tipeve të ndryshme. Sipas disa autorëve që kanë shkruar mbi historinë e aviacionit serb, ajo përbëhej nga një “Blerion” monoplan (një krahësh) 50 kuaj fuqi; një “Blerion” biplan (me dy krahë) 70 kuaj fuqi; një “Deperdisen” biplan (me dy krahë) 80 kuaj fuqi dhe një “Farmanov” biplan (me dy krahë) 80 kuaj fuqi.
Për transportimin e mijërave trupave serbe, armatimit, mjeteve fluturuese dhe kuajve drejt brigjeve shqiptare (Durrësit dhe Shëngjinit), më 17 shkurt 1913 kryeministri serb Nikolla Pashiq nëpërmjet përfaqësuesit të tij në Athinë kërkoi ndihmën e qeverisë greke. Kjo e fundit ra dakord që me flotën e saj detare të transportonte forcat serbe nga Selaniku në brigjet shqiptare.
Më 13 mars pas shumë peripecive dhe rrezikut nga bombardimi i kryqëzorit osman “Hamidije”, i cili arriti të godiste disa nga anijet greke, avionët e mësipërm mbërritën në Shëngjin. Ato u vendosën në një aerodrom të improvizuar shpejt e shpejt nga forcat xheniere serbe me gjatësi 700 m midis lumit Drin dhe rrugës Lezhë-Shkodër. Në mëngjesin e 20 marsit avionët serbë u ngritën në fluturime të shkurtëra 10-15 minutëshe. Por jo të gjithë avionët patën suksesin e pritur. Kështu, njëri prej tyre i drejtuar nga piloti Mihajllo Petroviç, i cili fluturoi mbi pozicionet e ushtrisë serbe në Melgushë dhe Bushat në lartësinë 1500 m, u përfshi nga një rrymë e fortë ajrore. Piloti ra nga një lartësi 900-1000 m dhe humbi jetën, ndërsa avioni u dëmtua rëndë nga përplasja me tokën.
Pas disa ditësh avionët serbë zhvilluan një sërë fluturimesh mbi vijën e frontit, gjatë së cilës u qëlluan nga forcat shqiptaro-osmane. Përdorimi i aviacionit në Luftën e Shkodrës ishte një arritje në fushën e teknologjisë. Nga ana tjetër, kjo tregon vendosmërinë e forcave serbo-malazeze për marjen e këtij qyteti dhe, disfatën e tyre pavarësisht epërsisë në numër dhe mjete ushtarake.