Kosova u mund 2-0 në Rumani në një sfidë shumë të tensionuar e cila u ndërpre për shumë minuta pas koreve dhe banderolave raciste nga tifozët rumunë.
Kosova shpërdoroi dy raste shënimi me Muriqin dhe Zhegrovën, ndërkohë që Muriqi u ndëshkua me kartonin e kuq duke e lënë ekipin me dhjetë lojtarë për pjesën më të madhe të ndeshjes.
Rumunët shfrytëzuan epërsinë numerike dhe realizuan dy gola në fundin e takimit. Gjyqtari akordoi një penallti të dyshimtë për vendasit e cila u prit nga Muriç, por injoroi një shtyrje të Rrahmanit në zonën rumune duke mos akorduar penallti, vendim i cili e revoltoi Primozh Glihan.
Tekniku i Kosovës tha pas ndeshjes se gjyqtari veproi me sy standarde në rastin e penalltive, ndërkohë që shtoi se në kushte të tilla tensionesh në fushë është e vështirë të luash një ndeshje normale futbolli.
“Penallti për ata, penallti jo për ne. Situata ishte shumë e vështirë. Kishim shanse shumë të mira por nuk shënuam dhe kjo është gjithçka. Kemi pasur shanse të shumta sidomos në pjesën e parë. Vedati pati shanse të mira, Zhegrova po ashtu.
Katër shanse me dhjetë lojtarë, pastaj bëhet e vështirë. Duhet të themi disa fjalë për gjyqtarët. Nuk i kuptoj disa vendime të tyre. Kriteri i gjyqtarëve ishte problemi. Duhet të jetë i njëjtë për të dy ekipet.
Ndërprerja? Natyrisht që nuk ishte ndeshje e zakonshme për ne. Ishte ndeshje me presion. Ne nuk prisnim diçka të tillë. Këtu nuk ka politikë, është lojë. Kjo situatë do të jetë problem për ata.”- ishin fjalët e trajnerit të Kosovës për “SuperSport” pas ndeshjes.