Milani u mund thellë 5-1 në derbin ndaj Interit duke trazuar ndjeshëm ambientin e brendshëm në ekip. Loja e dobët dhe golat e shumtë të pësuar kanë vënë në pikëpyetje kapacitetin e skuadrës për të synuar trofe në këtë sezon, ndërkohë që drejtuesit e klubit duket se kanë vendosur të besojnë sërish te projekti i Stefano Piolit.
Corriere dello Sport raporton se drejtuesit zhvilluan një takim me trajnerin dhe skuadrën ku kërkuan reagim duke nisur nga përballja e së martës ndaj Njukasëllit në Ligën e Kampioneve.
“Pioli është i blinduar, gëzon besimin e plotë të stafit drejtues. Në Milanelo zbritën drejtuesit e klubit të cilët zhvilluan një takim kokë me kokë më trajnerin Pioli dhe pjesën tjetër të stafit, analizuan motivet e humbjes së rëndë në derbi. Në përfundim, Pioli mori edhe një herë besimin e stafit pasi ishte njeriu kryesor që përfundoi nën akuzë pas turpërimit të pësuar. Sigurisht, kërkohet një reagim i shpejtë duke nisur nga sfida e së martës në Champions.” – shkruan prestigjozja italiane.