Xherard Pike deklaroi para pak ditësh se do të tërhiqej nga futbolli i luajtur duke i dhënë fund një karriere të gjatë dhe impresionuese me Barcelonën.
Qendërmbrojtësi luan sonte ndaj Almerias ndeshjen e fundit para publikut në Kamp Nou, ndërkohë që stadiumi mitik përgatitet t’i japë një lamtumirë prej legjende. Disa aktivitete janë parashikuar para sfidës së mbrëmjes ndaj Almerias, ku para ndeshjes do të shfaqen video nga momentet më të mira të Pike me Barçën, ndërsa fusha e lojës dhe fanelat e lojtarëve gjatë nxemjes do të shpalosin mbishkrimin ‘Sempr3”. I njëjti mbishkrim do të mbahet dhe nga i gjithë publiku në stadium, ndërsa momenti më emocinues do të jetë pas ndeshjes kur Pike pritet të përshëndesë tifozët e Barcelonës me një fjalim i cili do të shoqërohet edhe me xhiron e famshme rreth fushës. Pike ka mbrojtur ngjyrat e Barçës në 14 vite e gjysmë. Që nga viti 2008, ai ka luajtur 615 ndeshje zyrtare dhe ka fituar 30 tituj me blaugranat, duke u bërë legjendë e Barcelonës. Ai pranoi të luante pa pagesë periudhën e fundit kur Barcelona ishte në prag të kolapsit financiar.
Ceremonl të ngjashme në Kamp Nou janë zhvilluar dhe për legjendat e klubit si Pujol, Ksavi dhe Iniesta.