Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ministra, deputetë dhe të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, kanë bërë homazhe pranë memorialit “Heroinat”, në Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.

Gjatë fjalës së saj, Haxhiu bëri të ditur se kohët e fundit janë ngritur edhe 12 aktakuza për raste të dhunës seksuale të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ajo theksoi se deri më tani janë marrë edhe tri vendime gjykatash, dy prej tyre në gjykatat themelore, ndërsa një vendim tashmë ka marrë formë të prerë.

Haxhiu u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për dorëzimin e personave të dyshuar për krime lufte. Sipas saj, Serbia vazhdon të strehojë kriminelë lufte dhe persona të përfshirë në veprime kriminale edhe në kohë paqeje.

“Serbia është bërë strehë për kriminelët e luftës, prandaj partnerët ndërkombëtarë duhet të bëjnë presion që ata të dorëzohen para institucioneve të drejtësisë së Kosovës”, tha ajo, duke shtuar se gjykimi në mungesë është bërë i domosdoshëm pikërisht për shkak se autorët e dyshuar nuk dorëzohen nga autoritetet serbe.

Në aktivitet foli edhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila kërkoi drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi nga Serbia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ajo u shpreh e emocionuar, duke kujtuar se në moshën 16-vjeçare kishte rënë në duart e forcave serbe, dhe theksoi rëndësinë që të mbijetuarit të flasin publikisht për përvojat e tyre dhe të kërkojnë drejtësi.

Në këtë përkujtim mori pjesë edhe i mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës, Ramadan Nishori, i cili u bëri thirrje viktimave që të mos heshtin dhe të dëshmojnë për krimet e kryera gjatë luftës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *