Bekim Qoku ka bërë të ditur se atij dhe dy zyrtarëve të tjerë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut u është refuzuar hyrja në Shqipëri, pa u dhënë asnjë shpjegim zyrtar nga autoritetet shqiptare.
Përmes një reagimi publik, Qoku tha se ai, një deputet tjetër dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u mbajtën për më shumë se një orë në pikën kufitare të Qafë Thanës, pa marrë asnjë sqarim. Sipas tij, fillimisht u lejuan të vazhdonin rrugën, por më pas autoritetet shqiptare refuzuan hyrjen e njërit prej shoqëruesve të tyre.
Për shkak të kësaj situate, tre zyrtarët vendosën të ktheheshin në Maqedoninë e Veriut. Aty, sipas Qokut, u njoftuan se ndalimi i hyrjes vlente edhe për ta, ndonëse më herët ishin lejuar të kalonin kufirin.
Deputeti thekson se deri më tani nuk ka marrë asnjë vendim apo njoftim zyrtar që shpjegon arsyet e refuzimit të hyrjes dhe u bën thirrje autoriteteve shqiptare të sqarojnë rastin.
Qoku shprehet se, nëse masa lidhet me mbështetjen e tij publike për protestat e fundit në Shqipëri, atëherë bëhet fjalë për një zhvillim shqetësues për lirinë e shprehjes dhe standardet demokratike. Ai kërkon transparencë të plotë, duke theksuar se besimi mes qytetarëve dhe institucioneve ndërtohet vetëm përmes veprimeve të qarta dhe të argumentuara.
