Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, deklaroi se hetimet për dosjen e njohur si “Aruba” janë ende në zhvillim dhe se institucioni do të bëjë transparencë vetëm pasi ato të kenë përfunduar.
I pranishëm në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho iu përgjigj pyetjeve të deputetit të Partisë Demokratike, Ivi Kaso, i cili kërkoi që SPAK të bëjë publikë emrat e zyrtarëve të lartë shqiptarë që, sipas pretendimeve, janë takuar në Aruba me eksponentë të krimit të organizuar.
Kaso tha se në dosje përmendet një takim mes personave të lidhur me krimin e organizuar dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë, duke pyetur nëse SPAK ka detyrimin t’u tregojë qytetarëve se kush kanë qenë këta politikanë, pavarësisht nëse i përkasin mazhorancës apo opozitës.
Në përgjigjen e tij, Braho theksoi se çështja është nën hetim dhe se çdo provë e administruar nga SPAK po verifikohet.
“Është një çështje nën hetim. Nuk mund të ndodhë që SPAK të ketë një provë në një dosje dhe ajo të lihet aty në gjumë e të mos hetohet. Tjetër gjë mund të thuhet, por këto janë hamendësime, opinione. Kur të përfundojnë hetimet, institucioni mund të bëjë transparencë. Nuk i merremi me komentet politike, të asnjë pale”, deklaroi kreu i SPAK.
