Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka shpallur “persona non grata” ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezana Paunović, duke i ndaluar përherë hyrjen dhe kalimin tranzit në territorin e Republikës së Kosovës.
Përmes një reagimi publik, Sveçla e akuzoi zyrtaren serbe për deklarata që, sipas tij, përfaqësojnë vazhdimësi të politikave të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve, duke theksuar se Serbia nuk ka hequr dorë nga projektet që në të kaluarën u zbatuan nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.
Ai tha se gjuha e përdorur nga Paunović ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj është e papranueshme dhe duhet të dënohet nga shtetet demokratike, pasi nxit urrejtje, destabilizim dhe rikthim të politikave kriminale të së kaluarës.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim me të cilin Snezana Paunović shpallet persona non grata, me ndalim të përhershëm të hyrjes apo kalimit tranzit nëpër Republikën e Kosovës”, deklaroi Sveçla.
Ministri theksoi se epoka e shtypjes, masakrave dhe spastrimit etnik ndaj shqiptarëve ka përfunduar dhe se Kosova është një shtet sovran e demokratik, me institucione që mbrojnë rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e qytetarëve.
Sipas tij, çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të cenuar sovranitetin e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur ligjore dhe institucionale.
