Analisti Dritan Hila ka publikuar një analizë politike, në të cilën pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, synon të zgjerojë ndikimin e tij politik edhe në Shqipëri.
“Albin Kurti është modeli i politikanit që jeton në kreshtën e krizës dhe që, përveç propagandës, nuk është në gjendje të ofrojë një model ekonomik dhe social”, shkruan Hila.
Sipas tij, Kurti po qeveris Kosovën “pa një mandat të plotë politik” dhe, kur “i mbaron karburanti në Kosovë, u drejtohet fqinjëve ku ka popullsi shqiptare”.
“Nëse Kurti nuk instalon regjentët e tij në Tiranë, ai e di se Prishtina do të mbetet gjithmonë numri dy në universin shqiptar”, shprehet Hila.
Ai pretendon gjithashtu se në Tiranë po veprojnë njerëz pranë Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa shton se synimi nuk është një revolucion klasik, por “defaktorizimi i Tiranës dhe instalimi i politikanëve vasalë”.
“Tirana nuk është Prishtina. Vetëdija politike e elektoratit është më e rafinuar dhe revolucionet nuk eksportohen”, thekson ai.
Në analizën e tij, Hila argumenton se as Edi Rama dhe as Sali Berisha nuk do të përfitonin nga një rritje e ndikimit të Albin Kurtit në Shqipëri, duke e cilësuar situatën aktuale si një “stuhi perfekte” politike.
