Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus, e pranishme në protestën para Kryeministrisë, deklaroi se kryeministri Edi Rama i kishte dërguar një email ku i kërkonte të mos votonte amendamentin për moratoriumin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura.
Sipas saj, pavarësisht këtij kërkimi, amendamenti u votua pro në Parlamentin Evropian.
“Natyra shqiptare është shumë e bukur dhe e mrekullueshme. Është frymëzuese t’ju shoh që luftoni për natyrën, për flamingot dhe kundër oligarkëve që duan ta shkatërrojnë atë. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë betejë dhe do ta përcjellim zërin tuaj në Bruksel. Do të themi se Shqipëria nuk është në shitje dhe se natyra nuk është në shitje.
Ju po luftoni për vendin tuaj, por edhe për të drejtat tuaja, për t’u dëgjuar. Këto janë vlera të Bashkimit Evropian. Nëse Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së, gjë që ju e meritoni, atëherë qeveria duhet të ndryshojë ligjet që janë bërë për miliarderët dhe jo për të mirën e qytetarëve, por për interesat e tyre dhe të miqve të tyre. Ju falënderoj për këtë protestë, edhe pse qeveria përpiqet t’ju frikësojë dhe t’ju largojë nga të drejtat tuaja.
Unë mora një email nga Edi Rama, i cili më kërkonte të mos votoja një amendament. Por, sigurisht, ne votuam pro atij amendamenti, sepse ligji evropian duhet të respektohet dhe nuk është në shitje. Vazhdoni betejën tuaj. Ne do të bëjmë më të mirën për ta mbështetur zërin tuaj në Bruksel. Shqiptarët meritojnë më shumë se qeveria e tyre.”
