Nga sot, 1 korrik, paga minimale në Kosovë rritet në 500 euro bruto, duke shënuar fazën e dytë të zbatimit të vendimit të Qeverisë. Pas rritjes në 425 euro më 1 janar, paga minimale arrin tashmë në 500 euro në muaj për të gjithë punëtorët me orar të plotë.
Rritja prek rreth 150 mijë të punësuar në sektorin privat. Qeveria në detyrë e kishte miratuar këtë vendim në tetor të vitit të kaluar, duke argumentuar se ai bazohej në analiza të ndikimit mbi bizneset dhe punonjësit.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se vendimi është marrë pas konsultimeve me përfaqësues të sindikatave dhe biznesit.
Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka shprehur dyshime për zbatimin e plotë të pagës minimale, veçanërisht në kompanitë që kanë kontrata me institucione shtetërore dhe komunale.
Edhe Inspektorati Qendror i Punës ka identifikuar sektorët e pastrimit dhe të sigurisë fizike si më të rrezikuarit për moszbatim të vendimit, duke paralajmëruar procedura kundërvajtëse ndaj bizneseve që nuk respektojnë pagën minimale.
Sipas të dhënave zyrtare, paga minimale në Kosovë ka kaluar nga 350 euro në 425 euro në janar të këtij viti dhe, nga sot, arrin në 500 euro bruto.
