Analisti dhe ish-ambasadori Mustafa Nano, i njohur për shprehjen e famshme “të gjithë qelbësirat bashkë” me të cilën në vitin 2014 mbështeti ardhjen e Rilindjes në pushtet, sot i ka këshilluar hapur kryeministrit Edi Rama të mendojë largimin nga detyra.
Në një analizë të shkurtër në MCN, Nano parashikon një skenar largimi të qetë e të organizuar: Rama të japë dorëheqjen, të zhvillojë zgjedhje të brendshme brenda PS-së dhe të dorëzojë stafetën te një lider i ri.
Sipas Nanos, shkaku rrënjësor i protestave masive është fakti se shqiptarët nuk janë më të gatshëm të pranojnë një model qeverisjeje ku një grup oligarkësh janë të vetmit me akses në zyrën e kryeministrit. Ky realitet, thotë ai, ka grumbulluar zemërim që ka kulmuar me daljen masive të qytetarëve në rrugët dhe sheshet e Tiranës.
“Këshilla ime është vetëm një, të mendojë largimin. Jo largimin me idenë që pas meje të bëhet qameti, por një ikje normale, të përcjellë stafetën, të organizojë zgjedhje brenda PS, të zgjidhet një lider i ri dhe ky pastaj njatjeta”, deklaroi Nano.
Kthesa e Nanos është simbolike: njëri nga zërat që dikur legjitimoi ardhjen e Ramës në pushtet tani bëhet pjesë e atyre që kërkojnë largimin e tij.
