Aktivisti dhe pedagogu Ervin Goci ka publikuar dokumentin që provon se kryeministri Edi Rama ka firmosur në fshehtësi një leje ndërtimi për një resort turistik në zonën e mbrojtur Pishe-Poro, më 28 janar 2025, mbi një vit para se çështja të dilte në vëmendjen e publikut.
Dokumenti i publikuar nga Goci rrëzon deklarimet e mëparshme zyrtare, sipas të cilave nuk ekzistonte as projekt dhe as leje ndërtimi, por vetëm një leje zhvillimore. Sipas tij, punimet e kryera në terren nuk kishin si qëllim vetëm rrethimin e zonës, por përgatitjen e plotë për ndërtim.
Goci i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme, SPAK, të nisë menjëherë hetime për këtë çështje, duke ngritur pyetje të forta mbi mungesën e veprimit institucional deri më tani. Ai e cilëson të ligjshme dhe të legjitime kërkesën e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit.
Aktivisti u bën gjithashtu thirrje qytetarëve të vazhdojnë protestat pa ndërprerje, duke e parë presionin e rrugës si mjetin kryesor për të detyruar llogaridhënie institucionale.
