Prokuroria e Posaçme ka hapur zyrtarisht hetimet për çështjen e Zvërnecit, duke verifikuar mënyrën e përfitimit të pronave në zonën e mbrojtur dhe procedurat që i kanë hapur rrugë projektit turistik të promovuar si një investim i lidhur me Jared Kushner.

Nisja e hetimit vjen mes polemikave të forta për ndërhyrjet në zonën Pishë-Poro–Nartë dhe pas protestave të qytetarëve dhe aktivistëve mjedisorë, të cilët kundërshtojnë rrethimin e territorit dhe ndërtimet e planifikuara në një prej zonave më të ndjeshme natyrore të vendit.

Burime pranë hetimit bëjnë të ditur se SPAK po shqyrton dokumentacionin e pronave, transaksionet dhe procedurat administrative që lidhen me projektin. Megjithatë, për shkak të fazës hetimore, nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi subjektet apo personat që po verifikohen.

Zona e Zvërnecit konsiderohet një pasuri me rëndësi të veçantë mjedisore dhe prej kohësh ka qenë objekt debatesh për shkak të vlerave të saj natyrore dhe biodiversitetit të pasur. Kundërshtarët e projektit kërkojnë transparencë të plotë dhe pezullimin e çdo ndërhyrjeje deri në përfundimin e hetimeve.

Me hapjen e dosjes, SPAK pritet të sqarojë nëse ka pasur shkelje ligjore në tjetërsimin e pronave dhe në procedurat që kanë mundësuar zhvillimin e projektit turistik në Zvërnec. Rezultatet e hetimit mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e projektit dhe në vendimmarrjet e ardhshme lidhur me këtë zonë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *