Mbi 300 banorë të Nikaj-Mërturit protestuan kundër projektit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) për ndërtimin e tre digave në Lumin e Mërturit, duke kërkuar pezullimin e punimeve dhe mbrojtjen e një prej ekosistemeve më të rëndësishme natyrore në Alpet Shqiptare.
Sipas banorëve, punimet kanë nisur me ndërhyrje në shtratin e lumit, ku fadromat kanë devijuar rrjedhën e ujit dhe kanë hapur rrugë për makineritë.
Protestuesit, të mbështetur edhe nga organizata mjedisore, paralajmërojnë se ndërtimi i digave do të dëmtojë biodiversitetin dhe do të cenojë rëndë ekuilibrin natyror të zonës, e cila gëzon statusin e Parkut Natyror Rajonal.
Ata kërkojnë transparencë për projektin dhe mbrojtjen e Lumit të Mërturit, duke e cilësuar atë një pasuri të pazëvendësueshme natyrore dhe kombëtare.
