Vedat Muriqi pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos së verës, ndërsa mediat turke raportojnë se sulmuesi kosovar është shumë pranë rikthimit te Fenerbahçe.

Sipas gazetarit Sezgin Gelmez të HT Spor, marrëveshja mes palëve tashmë është arritur dhe mbetet vetëm nënshkrimi i kontratës. Zyrtarizimi i transferimit pritet të varet nga zhvillimet në klub, të lidhura ngushtë me zgjedhjet presidenciale te Fenerbahçe.

Raportimet nga Turqia bëjnë të ditur se kandidati për president, Aziz Yıldırım, ka qenë personalisht i angazhuar në negociatat me Muriqin dhe, në rast fitoreje, pritet ta finalizojë transferimin. Interesim për reprezentuesin e Kosovës ka shfaqur edhe kandidati tjetër, Hakan Safi, çka e bën rikthimin e sulmuesit në “Kadıköy” gjithnjë e më të mundshëm.

Muriqi ishte pjesë e Fenerbahçes gjatë sezonit 2019/20, ku zhvilloi 36 ndeshje, realizoi 17 gola dhe kontribuoi me shtatë asistime, duke u kthyer shpejt në një nga futbollistët më të pëlqyer nga tifozët verdheblu.

Pas aventurës në Turqi, ai vazhdoi karrierën në La Liga me Mallorcën, ku pati paraqitje të spikatura. Vetëm në sezonin e fundit, sulmuesi kosovar realizoi 22 gola, megjithatë kjo nuk mjaftoi për ta mbajtur klubin në elitën e futbollit spanjoll.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *