Raportohet se deri në nëntë lojtarë të Real Madridit pritet të largohen këtë verë, ndërsa trajneri i mundshëm i ardhshëm, Jose Mourinho, synon të rindërtojë skuadrën pas një sezoni zhgënjyes 2025/26.
Pavarësisht se Alvaro Arbeloa vazhdon të jetë në krye të ekipit, mediat spanjolle raportojnë se pozita e tij është e pasigurt, pasi “Los Blancos” nuk kanë arritur të fitojnë trofe madhor për dy sezone radhazi.
Sipas raportimeve të mediumit spanjoll ABC, Real Madridi pritet të hyjë në një fazë të madhe ndryshimesh, nëse Mourinho merr drejtimin e klubit.
Në listën e lojtarëve që mund të largohen përfshihen David Alaba dhe Dani Carvajal, të cilëve u skadon kontrata këtë verë, si dhe Dani Ceballos, i cili shihet si i panevojshëm në projektin e ri.
Po ashtu, disa lojtarë të rinj dhe të rotacionit si Franco Mastantuono, Eduardo Camavinga, Raul Asencio, Gonzalo Garcia dhe Fran Garcia mund të jenë në treg, në varësi të ofertave që do të vijnë për ta.
Edhe portieri rezervë Andriy Lunin mund të largohet nëse paraqitet një ofertë e përshtatshme.
Mourinho, në rast rikthimi, pritet të sjellë edhe stafin e tij teknik, megjithëse klubi mund të emërojë edhe një ndihmës trajner nga brenda strukturave të Real Madridit.

