Qeveria shqiptare është detyruar të pranojë ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, i cili i hapi rrugë projektit turistik në Zvërnec, pas presionit të protestave qytetare dhe kërkesave të Bashkimit Evropian.

Gjatë konferencës së përbashkët në Bruksel, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, bëri të ditur se Shqipëria është angazhuar të ndryshojë, brenda këtij viti, amendamentet e vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura.

“Edhe përpara se të nisnin protestat, kishim rënë dakord me Shqipërinë që, gjatë këtij viti, të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura”, deklaroi Kos.

Deklarata përbën një kthesë të fortë në qëndrimin e qeverisë, e cila deri më tani e ka mbrojtur ligjin si plotësisht në përputhje me standardet evropiane, ndërsa protestuesit i ka akuzuar për dezinformim, interesa politike dhe ndikime të huaja.

Në të njëjtën konferencë, kryeministri Edi Rama u përpoq të shmangte termin “shfuqizim”, duke sqaruar se ligji nuk do të anulohet, por do të rishikohet për të reflektuar standardet evropiane.

“Nuk kemi asgjë për të shfuqizuar. Ligji për zonat e mbrojtura do të rishikohet dhe do të ndryshojmë gjithçka që nuk është në përputhje me standardet evropiane”, tha Rama.

Megjithatë, pranimi i ndryshimeve nënkupton se vetë qeveria pranon se disa dispozita të ligjit nuk përmbushin standardet e Bashkimit Evropian.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *