Një gjykatës federal në Nju Jork ka urdhëruar publikimin e një dokumenti të përshkruar si shënimi i dyshuar i vetëvrasjes së financierit Jeffrey Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikimit seksual.
Dokumenti u bë publik pas një kërkese nga media amerikane The New York Times. Sipas raportimeve, shënimi ishte gjetur nga ish-shoku i qelisë së Epstein, Nicholas Tartaglione, pas një tentative të mëparshme të dyshuar për vetëvrasje në korrik 2019.
Në letrën e shkruar me dorë, Epstein shprehet se ishte hetuar për muaj të tërë pa u gjetur prova kundër tij dhe se donte të vendoste vetë për fundin e jetës së tij. Dokumenti nuk mban datë dhe as nënshkrim.
Gjykatësi Kenneth Karas deklaroi se dokumenti duhet të bëhet publik pasi ishte pjesë e një çështjeje federale gjyqësore. Ai theksoi se gjykata nuk po verifikon autenticitetin e shënimit, por vetëm po vendos për publikimin e tij.
Ndërkohë, në zhvillime të tjera të lidhura me çështjen Epstein, Sekretari amerikan i Tregtisë Howard Lutnick u pyet në Kongres për kontaktet e tij me financierin e ndjerë dhe për një vizitë në ishullin privat të Epstein në Karaibe, vite pas dënimit të tij për krime seksuale.
Lutnick deklaroi se nuk e kujton arsyen e vizitës, ndërsa ligjvënësit amerikanë po vijojnë hetimet mbi rrjetin dhe lidhjet e Epstein me figura të njohura politike dhe ekonomike.
Burimi: DW

