Një 32-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi u rrëzua nga një shkëmb në Malin e Gopeshit, në zonën e Moglicës, Bashkia Maliq.
Bëhet fjalë për Drilon Agollin, i cili kishte dalë në zonën malore për të mbledhur bimë medicinale dhe çaj. Sipas të dhënave paraprake, ai ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë në një terren të thepisur.
Pas njoftimit, Policia e Maliqit dhe shërbimi zjarrfikës organizuan një operacion kërkim-shpëtimi, duke arritur ta lokalizojnë dhe ta nxjerrin pas mesnate.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës, i plagosuri u transportua fillimisht me barelë deri në një zonë të aksesueshme, ku mori ndihmën e parë.
Burime nga grupi i shpëtimit bëjnë me dije se 32-vjeçari ka pësuar plagë të rënda nga rënia. Pas trajtimit fillestar në spitalin lokal, ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar.
