Dita e dhjetë e protestave në Tiranë konfirmoi edhe një herë karakterin antisistem të lëvizjes qytetare që ka mbushur sheshet e vendit. Nën thirrjet “Rama n’burg, Berisha n’burg”, qindra qytetarë marshuan nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, duke shprehur hapur kundërshtimin jo vetëm ndaj qeverisë, por ndaj gjithë klasës politike që ka dominuar vendin në dekadat e fundit.
Protesta, e cila nisi si reagim kundër projektit në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, është shndërruar gradualisht në një lëvizje më të gjerë kundër sistemit politik. Në tubimet e organizuara në Tiranë dhe qytete të tjera, protestuesit kanë artikuluar kërkesa që shkojnë përtej çështjes së investimit, duke kërkuar largimin e qeverisë, shfuqizimin e ligjeve për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve dhe ndryshimeve në legjislacionin për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.
Një element i veçantë i protestës ka qenë refuzimi i saj për t’u identifikuar me partitë tradicionale politike. Parullat kundër Edi Ramës dhe Sali Berishës kanë treguar se zemërimi qytetar nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë aktuale, por edhe ndaj opozitës së vjetër, të cilën shumë protestues e konsiderojnë pjesë të të njëjtit sistem.
Ndërkohë, protesta ka tërhequr vëmendjen edhe jashtë vendit. Reagimet e institucioneve europiane, raportimet e mediave ndërkombëtare dhe interesimi në rritje për zhvillimet rreth projektit të Zvërnecit dhe Pishë Poros kanë bërë që debati të mos mbetet më vetëm brenda kufijve të Shqipërisë.
Organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara dhe se mobilizimi qytetar do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave të shpallura.
