Ish-ministri dhe avokati Ylli Manjani ka reaguar ashpër ndaj kritikave dhe sulmeve që, sipas tij, ka marrë pas deklaratave për protestat para Kryeministrisë.
Manjani sqaroi se kur ka thënë se protestat janë politike, nuk ka pasur qëllim të sulmojë protestuesit, por të japë një vlerësim për natyrën e lëvizjes. Ai tha se pas këtij qëndrimi është përballur me një valë fyerjesh dhe sulmesh personale, që kanë prekur edhe familjen e tij.
“Vetëm pse thashë se protesta është politike mora sharje me libër shtëpie. Nuk kam sharë protestuesit, por u jam përgjigjur atyre që më kanë ofenduar mua dhe familjen”, deklaroi Manjani.
Ai theksoi se nuk ka asnjë konflikt me qytetarët që protestojnë dhe se e drejta për protestë duhet respektuar. Sipas tij, problemi qëndron te personat që përdorin fyerjet për të sulmuar këdo që shpreh një mendim ndryshe.
Më tej, Manjani pretendoi se deklaratat e tij janë shkëputur nga konteksti dhe janë përdorur për të nxitur reagime negative ndaj tij. Ai hodhi dyshime se pas kësaj fushate qëndron një strukturë që, sipas tij, është ngritur nga ish-kryebashkiaku Erion Veliaj, ndonëse pranoi se nuk disponon prova që e lidhin drejtpërdrejt Veliajn me këto veprime.
“Janë organizatorë të njohur në Tiranë, një strukturë e krijuar nga Erion Veliaj. Nuk kam prova të them se është vetë Veliaj pas kësaj, por është e njëjta strukturë që shkëput deklaratat nga konteksti për të nxitur urrejtje ndaj meje”, u shpreh Manjani.
Ai e cilësoi këtë praktikë si të papranueshme dhe theksoi se debatet politike nuk duhet të shndërrohen në sulme personale ndaj individëve dhe familjeve të tyre.
