Duke filluar nga dita e sotme, transporti publik në të gjithë Shqipërinë është reduktuar me 40% të flotës së autobusëve, ashtu siç ishte paralajmëruar një ditë më parë nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban.
Si pasojë e këtij vendimi, në Tiranë janë raportuar vonesa të shumta dhe fluks i lartë qytetarësh në stacionet e autobusëve. Dhjetëra qytetarë janë detyruar të presin për periudha të gjata për të siguruar transport, ndërsa shumë prej tyre kanë pasur vështirësi për të mbërritur në kohë në destinacionet e tyre.
Shoqatat e transportit publik theksojnë se situata ekonomike e operatorëve është përkeqësuar ndjeshëm, duke i vendosur në kushte të vështira për vijimin e aktivitetit. Sipas tyre, reduktimi i shërbimit nuk është një zgjedhje, por një masë e detyruar për të përballuar krizën financiare në sektor.
Operatorët theksojnë se, pavarësisht problematikave të ngritura prej javësh dhe takimit të zhvilluar më 1 prill me institucionet përgjegjëse, deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete mbështetëse. Ata nënvizojnë se nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, nuk ka një plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare dhe nuk është nisur asnjë proces për rishikimin e elementeve fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot operative, si akciza, taksa e qarkullimit dhe TVSH-ja.
Sipas tyre, mungesa e reagimit nga institucionet ka përkeqësuar situatën financiare të operatorëve, të cilët tashmë ndodhen në kushte të vështira për të vazhduar aktivitetin normal.
Në këto kushte, duke filluar nga sot, është vendosur ulja me 40% e numrit të mjeteve në qarkullim në shërbimin e transportit publik.
