Në dhjetë vitet e fundit, Shqipëria i është afruar më shpejt se vendet e tjera të rajonit niveleve të çmimeve të Bashkimit Evropian. Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se vendi ka kaluar nga një nga më të lirët në rajon në një nga më të shtrenjtët.

Në vitin 2015, niveli i çmimeve në Shqipëri, i matur sipas fuqisë blerëse, ishte 48.3% e mesatares së BE-së, duke qenë ndër vendet me çmimet më të ulëta në rajon, së bashku me Maqedoninë e Veriut.

Por gjatë një dekade, ndërkohë që pagat kanë mbetur ndër më të ulëtat në rajon, çmimet janë rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave të fundit për vitin 2024, niveli i çmimeve në Shqipëri arriti në 70.6% të mesatares së BE-së, duke e renditur vendin si më të shtrenjtin në rajon dhe duke kaluar edhe Serbinë dhe Malin e Zi, që historikisht kanë pasur çmime më të larta.

Treguesi i nivelit të çmimeve matet nga Eurostat në raport me mesataren e BE-së, e cila merret si 100%. Ai tregon sa të shtrenjta janë mallrat dhe shërbimet në një vend në krahasim me Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh edhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

Një dekadë më parë, çmimet në Shqipëri ishin rreth gjysma e mesatares së BE-së, ndërsa në vitin 2024 arritën në dy të tretat e saj. Madje, për herë të parë, çmimet e ushqimeve në Shqipëri kapën mesataren e BE-së, duke arritur në 101% dhe duke u bërë më të shtrenjtat në rajon.

Kjo situatë tregon se kostoja e jetesës po rritet më shpejt se të ardhurat, duke krijuar presion mbi buxhetet familjare. Ndërkohë, paga mesatare në Shqipëri mbetet ndër më të ulëtat në rajon.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri në vitin 2025 ishte rreth 860 euro, ndërsa në vendet e tjera të rajonit ishte dukshëm më e lartë: rreth 1290 euro në Serbi, 1245 euro në Bosnjë dhe Hercegovinë, 1206 euro në Mal të Zi dhe 1100 euro në Maqedoninë e Veriut. Vetëm Kosova ka një pagë mesatare më të ulët, rreth 639 euro për vitin 2024.

Rritja më e fortë e çmimeve në Shqipëri është vërejtur pas vitit 2021. Zgjerimi i turizmit dhe rritja e kërkesës për shërbime, banesa dhe qira kanë ushtruar presion të fortë mbi çmimet, të cilat në disa kategori kanë arritur ose edhe kaluar nivelet e vendeve të BE-së.

Në të njëjtën kohë, familjet shqiptare shpenzojnë një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave për ushqim. Rreth 40% e shpenzimeve familjare shkojnë për ushqime dhe pije joalkoolike, krahasuar me 13% që është mesatarja në BE. Në vendet e rajonit kjo peshë varion nga 25% deri në 35%.

Rajoni amortizon çmimet, shqiptarët blejnë te fqinjët

Konvergjenca e çmimeve tregon se diferenca mes kostos së jetesës në rajon dhe asaj në Evropë po ngushtohet. Megjithatë, Shqipëria është rasti më ekstrem.

Nga 48.3% e mesatares së BE-së në vitin 2015, Shqipëria arriti në rreth 70.5% në vitin 2024, duke shënuar rritjen më të fortë në rajon.

Në krahasim, Serbia arriti në 67% të mesatares së BE-së, ndërsa Mali i Zi në 64.2%. Ndërkohë, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut mbeten vendet me kostot më të ulëta në rajon.

Diferencat e çmimeve kanë bërë që shumë shqiptarë, sidomos ata që jetojnë pranë kufijve, të bëjnë blerje në vendet fqinje. Një shembull i qartë është nafta, e cila në Shqipëri është shpesh 30–40% më e shtrenjtë se në Mal të Zi ose Serbi.

E njëjta tendencë vihet re edhe për ushqimet dhe ilaçet, të cilat shumë qytetarë i blejnë në vendet fqinje si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut apo Greqia.

Burimi: Monitor.al

https://monitor.al/shqiperia-kampione-ne-rajon-per-rritjen-e-cmimeve-ne-dekaden-e-fundit-sipas-fuqise-blerese/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *